SPAK i kërkon Gjykatës së Posaçme të gjykojë si grup të strukturuar kriminal 16 persona të dyshuar si të përfshirë në vjedhjen e mijëra qytetarëve përmes skemave mashtruese me mikrokreditë.
Bashkë me ta, SPAK kërkon gjykim edhe për 3 shoqëri mikrokredish dhe një zyrë përmbarimore, si persona juridikë. Sipas strukturës së posaçme, të pandehurit e çështjes, mes të cilëve administratorët Arben Meskuti dhe Eda Ibro, si edhe disa përmbarues e ish-përmbarues privatë, akuzohen për “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim të dokumenteve”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.
Hetimi ka evidentuar Meskutin si krijues të skemës, organizues dhe drejtues të saj, ndërsa 13 të tjerë si ekzekutorë. Referur hetimit, katër shoqëritë “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “Final” dhe “Zyra e Përmbarimit Privat TDR Group” kanë ushtruar aktivitetin në të njëjtin vend, kanë përdorur të njëjtin sistem kompjuterik dhe kanë financuar me burime monetare njëri-tjetrin.
SPAK pretendon se si rezultat i këtij grupi kriminal, që e ka shtrirë aktivitetin në më shumë se 9 vite, qytetarë në vështirësi ekonomike kanë rënë në grackën e kësaj skeme përmes shtrëngimit, përdorimit jashtë ligjit të të dhënave personale të debitorëve dhe keqbesimit e fakteve të pavërteta.
Në thelbim e skemës, sipas SPAK, ka qenë shumëfishimi i paligjshëm i detyrimeve të qytetarëve duke aplikuar kamata e interesa të lartë, mbledhja e detyrimit nga familjarë, apo të afërm që nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare, si edhe duke përvetësuar pasuri dhe prona të paluajtshme përmes ankandeve fiktive.
Për të realizuar qëllimin kriminal, të dyshuarit kryenin qindra e mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët e familjarët. Dhjetra mijëra llogari bankare të qytetarëve janë bllokuar e qëndruar të tilla në kundërshti me ligjin me vite dhe pasuri të paluajtshme janë sekuestruar për vlera minimale, ndërsa gjithë veprimtaria ka shkaktuar edhe pasoja të rënda sociale.
Për llogari të këtij hetimi më herët janë sekuestruar asetete e shoqërive dhe llogari bankare në mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1,3 milionë euro. (A2 Televizion)