14-vjeçarët alarmojnë blutë e Vlorës, ndjekje si në filma, përmbysin makinën e patrullës së policisë

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
1 Prill 2026, 11:39 | Kronikë

Këto janë momentet e ndjekjes së policisë të një mjeti tip Volkswagen, që drejtohej nga një 14-vjeçar në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure në bulevardin kryesor të qytetit të Vlorës.

I mituri ishte i shoqëruar edhe nga një bashkëmoshatar i tij, i cili jo vetëm që nuk pranoi t’i bindej urdhrit të policisë për të ndaluar, por përkundrazi ka shtuar shpejtësinë, duke përplasur edhe mjete të tjera, midis të cilëve edhe një mjet të patrullës së policisë, i cili tentoi të ndalojë arratisjen e minorenëve, raporton A2CNN. 

Madje, nga përplasja e fortë, mjeti i policisë u përmbys në bulevardin kryesor të Vlorës, duke rrezikuar edhe jetën dhe shëndetin e efektivëve të policisë. Ky moment u shërbeu dy 14-vjeçarëve të shkëputen nga ndjekja e policisë, për të lënë automjetin në një prej rrugicave të lagjes Partizani dhe për t’u vetëdorëzuar në komisariat më pas, nën shoqërinë e prindërve.

Për momentin ende nuk ka të dhëna mbi motivet që shtynë dy 14-vjeçarët të ndërmarrin veprime të tilla, që mund të sillnin pasoja shumë herë më të rënda. Ndërsa fenomeni i drejtimit të makinave nga minorenë që nuk kanë mbushur moshën mbetet një shqetësim serioz për sigurinë rrugore dhe më gjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos