Dera hapej përmes një mekanizmi të ndërlikuar, zbulohet dhoma e fshehtë e të arrestuarve që prodhonin pasaporta false

Nga Xhensila Kodra
6 Korrik 2025, 11:07 | Kronikë

Dera hapej përmes një mekanizmi të ndërlikuar, zbulohet

Ylli dhe Pjerin Brahimaj, babë e bir, të arrestuar një ditë më parë nga Antitrafiqet e Tiranës, kishin krijuar një dhomë të fshehtë në banesën e tyre për të ngritur një laborator të tërë të prodhimit të pasaportave, kartave të identitetit, patentave, e deri te certifikatat e pronësisë, të gjitha false.

Për të hyrë në dhomën e fshehtë të prodhimit në banesën që e kishin në zonën e Tufinës, në rrugën “Myslym Keta” në kryeqytet, ata ndërtuan një mekanizëm të sofistikuar për hapjen e derës. Gjatë kontrollit në banesë, policia, e cila nuk ishte në dijeni të mekanizmit, shpërtheu derën hyrëse, e inkorporuar në dollapin e rrobave, shkruan A2.

Më pas, u zbulua sistemi inteligjent që përdorej për të hyrë dhe dalë në laborator. Pranë derës ndodhej një çelës normal dritash dhe një prizë. Që dera të hapej, duhej që në prizë të futej një karikues i thjeshtë celulari dhe mjaftonte të shtypej çelësi dhe dera e fshehtë hapej.

Ylli Brahimaj e bënte këtë aktivitet gjatë kohës që ishte në masë “arresti shtëpie” nga SPAK, për po të njëjtat vepra penale. Burime pranë policisë thonë se laboratori grupit i zbulohet për herë të parë, duke kompletuar në këtë mënyrë me prova shtesë edhe procedimin penal të SPAK.

Në hetim nga Antitrafiqet u mor edhe një 62-vjeçar, i cili jo shumë larg shtëpisë ku ishte ngritur laboratori, kishte një studio grafike, ku babë e bir bënin modifikimin e fotove dhe formularëve për t’i falsifikuar. Pjesa më e madhe e dokumenteve false që u gjetën ishin greke, italiane dhe amerikane, përfshirë edhe një sasi parash, po ashtu prodhim fals. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos