Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Delivery”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa u sekuestruan mjete, celularë dhe para në valutë të huaj.
Policia zbuloi aktivitetin kriminal të dy shtetasve që ndihmonin emigrantë nga vendet e treta për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Greqisë.
Të arrestuarit janë:
E. M., 42 vjeç, banues në Vlorë;
S. G., 43 vjeç, banues në Gjirokastër.
Nga hetimet rezultoi se të dy organizonin transportin e emigrantëve drejt Greqisë, përmes Pikës Kufitare Kakavijë, kundrejt shumave që varionin nga 1000 deri në 2000 euro për person.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy automjete, dy celularë dhe një shumë eurosh që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal. (A2 Televizion)