
Ish-presidenti Ilir Meta ka përfunduar dëshminë e tij në SPAK mbi “21 janarin”. Meta është pyetur nga hetues të BKH qe ishin caktuar nga prokurori i dosjes Alfred Shehu, shkruan A2 CNN.
Më 26 nëntor avokati Kujtim Cakrani, zbuloi në “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2 CNN, se ish-presidenti Ilir Meta posedon prova shkresore dhe materiale audio për rastin e “21 Janarit”, ndaj ka kërkuar që të thirret nga prokurorët në cilësinë e dëshmitarit për këtë çështje.
Cakrani tha se Meta është arsyeja kryesore për të cilën ndodhi ajo që avokati e cilëson si kryengritja e 21 Janarit. Sipas tij Meta i ka kërkuar që të paraqesë kërkesë pranë prokurorit Alfred Shehu, që drejtësia ta pyesë në lidhje me këtë dosje.
I pyetur se çfarë do të ndryshojë nëse SPAK merr në dorëzim provat e reja që posedon Ilir Meta për “21 Janarin”, Cakrani tha: “Gjenden autorët”.
Pak ditë më parë u paraqit në Prokurorinë e Posaçme edhe ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, për t’u pyetur si person që ka dijeni për ngjarjet e 21 janarit 2011, kur 4 persona mbetën të vrarë gjatë një proteste të opozitës përballë Kryeministrisë. Për çështjen është pyetur edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Brendshëm i kohës, Lulzim Basha. (A2 Televizion)