Tre vite nga dita e vrasjes së Klodian Rashës, familjarët ende nuk kanë marrë një përgjigje lidhur me pistoletën e gjetur në afërsi të ish-Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
25-vjeçari u qëllua për vdekje në 8 dhjetorin e vitit 2020 nga efektivi Nevaldo Hajdaraj, ndërsa historia edhe pse u hetua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore që tha se pistoleta e gjetur nuk ishte e të ndjerit, sërish pronësia e saj nuk u zbulua kurrë.
Ndërkohë, pak javë më parë Prokuroria i vuri kapak historisë së Lear Kurtit, të riut që humbi jetën në rrethana të dyshimta, mbrëmjen e 19 tetorit të vitit 2022 në Tiranë.
Vdekja e tij erdhi nga një sasi kokaine e mbështjellë në një qese, që mendohet se ai e gëlltiti ndërsa vraponte për t’i shpëtuar policisë. Familjarët e Kurtit akuzuan policinë si fajtore për vdekjen për shkak të dhunës ndaj tij.
Por, policia dhe komisariati nr. 3 mohuan diçka të tillë edhe pse kamerat e sigurisë treguan se ndonëse në gjendje të rënduar shëndetësore në rrugën “Don Bosko”, Lear Kurti nuk u dërgua në spitalin e Traumës fare pranë, por në polici.
Në mbështetje të kësaj Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nxori në media deklaratën se i riu ndërroi jetë në spital dhe jo në komisariat. Por fill pas kësaj mjekët e spitalit të Traumës hodhën poshtë këtë version duke thënë se Lear Kurti mbërriti i pajetë në spital.
Një tjetër detaj ishte dhe dëshmia që shoku i Lear Kurtit dha për policinë se ndaj 32-vjecarit ishte ushtruar dhunë. Por veç këtyre fakteve ajo që ndodh rëndom me policinë është dhe tradita e kriminalizimit të të rinjve.
Si në rastin e Kurtit edhe në rastin e të ndjerit Rasha nisën të qarkullojnë versione si shembulli i pistoletës apo dhe e shkuara e tyre, teksa policia i etiketoi me precedentë penalë.
Në çdo rrethanë këto janë dy ngjarje tipike me rol të dyshimtë të efektivëve të policisë që presin përgjigje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, si me zbardhjen e videove të plota të vdekjes së Lear Kurtit, apo me zbulimin se kush e hodhi pistoletën te vrasja e Klodian Rashës, 8 dhjetorin e 2020. (A2 Televizion)