Ndërtoi urë për motrën me fondet e bashkisë, SPAK çon për gjykim kryetaren në detyrë të Tropojës

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 16:11 | Kronikë

Ndërtoi urë për motrën me fondet e bashkisë, SPAK

Pas kryetarit të zgjedhur Rexhë Byberi, i cili u akuzua për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe u hetua për shkelje gjatë procesit për hapjen e rrugëve në bashkinë e Tropojës, SPAK ka çuar për gjykim edhe kryetaren në detyrë të këtij institucioni të qeverisjes vendore.

Zyra Islamaj, e cila ushtronte kompetencat e kryetares pas arrestimit të Byberit, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “korrupsion pasiv”.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën së Posaçme të Shkallës së Parë procedimit penal Nr. 15 të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurve: Rrok Gegaj – i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar ga neni 244, paragrafi dytë i Kodit Penal. Zyra Islamaj – e akuzar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259, paragrafi i dytë i Kodit Penal”, njofton SPAK.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë përmes një tenderi të hapur, ka ndëhyrë tek ndërtuesi Rrog Gega, në mënyrë që ky i fundit të ndërtonte një urë mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj.

“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera për këtë procedim penal, rezulton se shtetasja Zyra Islamaj, aktualisht në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Tropojë, rezulton se është përpjekur përmes një tenderi të hapur, të favorizojë ndërtimin e një ure në dobi të familjarëve të saj. Ajo ka ndërhyrë tek ndërtuesi, Rrok Gega për të ngritur urën mbi përroin që kalon pranë shtëpisë së motrës së saj. Njëkohësisht planifikoi të angazhonte edhe teknikun e mirëmbajtjes së rrugëve, punonjës në Bashkinë Tropojë, për ta ndihmuar ndërtuesin. Edhe ndërtuesi, nga ana e tij, ka pohuar se ky ndërtim nuk ka qenë në procedurat e tenderimit dhe ai do t’ia bënte dhuratë Kryetares së Bashkisë Tropojë. Prokuroria e Posaçme ka administruar materialin kallëzues, bazuar mbi një informacion të ardhur më 8.1.2025, nga Partia Demokratike, i mbështetur mbi denoncimin e bërë nga një emision televiziv investigativ në nëntor të vitit 2024”, sqaron SPAK. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos