Prokuroria e Fierit përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq 60-vjeçarin Shpëtim Lazaj, i cili akuzohet për ngacmim seksual ndaj një të miture.
Sipas njoftimit të Prokurorisë ngjarja ka ndodhur më 1 prill të këtij viti, ku u provua se Lazaj ka kryer veprime konkrete të natyrës seksuale në dëm të të miturës.
“Nga tërësia e hetimeve të kryera rezultoi se personi nën hetim Sh.L. me veprime aktive të kundraligjshme, konkretisht prekje në pjesë të ndryshme të trupit, ka cenuar dinjitetin e të miturës duke përfituar nga mosha e re dhe gjendja e saj sociale. Personi i pandehur Sh.L., i ka dhuruar para si dhe ka kërkuar të shkëmbejë puthje intime me të”.
E mitura pas ngacmimit kontaktoi mësuesen e saj kujdestare, e cila në bashkëpunim me shërbimin social përkatës ka referuar rastin në polici.
Aktualisht i pandehuri është hetuar me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cenojnë apo dëmtojnë mirëqenien dhe zhvillimin normal të të miturve.
Gjithashtu, inkurajon bashkërendimin e strukturave bazë si mësuesit, psikologët e shkollave dhe shërbimet sociale pranë bashkive me qëllim identifikimin e rasteve dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.
(A2 Televizion)