50 vite burg për 7 vetë, plani për vrasjen e ish-deputetit, dënohet Durim Bami

Nga Armand Bajrami
15 Shtator 2026, 17:07 | Kronikë

Gjykata e Posaçme shpalli vendimin përfundimtar në gjykimin e një prej fraksioneve të dosjes “Revanshi”, për shtatë të akuzuar për planifikime vrasjesh, grup kriminal, si dhe trafik e kultivim të narkotikëve. Të pandehurit e dosjes, mes të cilëve emra të dëgjuar të botës së krimit dhe ish-funksionarë të Policisë së Shtetit, u gjykuan me kohë të shkurtuar. Ata u dënuan me 50 vite burg në total, për vepra penale që dolën në dritë nga të dhënat e SKY ECC, të përcjella në SPAK nga agjencitë partnere.

Për të pandehurin Durim Bami, GJKKO dha një dënim me 10 vjet e 8 muaj burg. I arrestuar në Dubai dhe i deportuar në Shqipëri në shkurt të këtij viti, ai u fajësua për përgatitjen e kushteve për vrasjen e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, si edhe të Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit, krime të parealizuara.

Të pandehurit Jozi Kraha dhe Aldo Avdyli u dënuan me nga 4 vjet e 8 muaj për sigurimin e kushteve për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, krim i pakryer.

Një dënim me 10 vite burg u caktua edhe për Edson Jozëik, i njohur edhe si Edson Pjegri dhe Edmir Pjetri, si fajtor për “trafik të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Ndërsa ish-zyrtarët e policisë, Henerigert Mitri dhe Altin Morina, u dënuan përkatësisht me 5 vjet e 4 muaj dhe 6 vjet e 8 muaj burg. Të dy u fajësuan për “kultivim të bimëve narkotike”, “grup kriminal” dhe “kryerje veprash nga organizata kriminale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos