Pas katër vitesh në portin e Durrësit u sekuestrua drogë e llojit kokainë.
Më 14 shtator 2026 një ngarkesë me mish pule brenda disa kontejnerëve frigoriferikë e nisur nga Brazili dhe e destinuar për Shqipërinë përfundoi në qendër të një hetimi për trafik ndërkombëtar droge. Pasi mbërriti në Portin e Durrësit u zbuluan 41 kilogramë kokainë.
Ngarkesa ka kaluar në disa porte dhe është transferuar nga një anije në tjetrën përpara se të mbërrinte në Durrës. Bëhet fjalë për një itinerar detar që ka zgjatur rreth 38 ditë dhe ka përfshirë katër shtete, Brazilin, Marokun, Greqinë dhe në fund Shqipërinë.
A2 CNN mëson se kontejneri u ngarkua më 5 gusht në portin e Itajaí-t, në Brazil dhe u nis drejt destinacionit të parë, Portit Tanger Med në Marok, ku mbërriti më 24 gusht, pas 19 ditësh lundrim.
Në Tanger Med, qëndroi për rreth tetë ditë. Më 1 shtator u ngarkua në një tjetër anije, e cila u nis më 2 shtator drejt Greqisë dhe pesë ditë më pas ndaloi në portin e Pireut. Një ditë më pas u transferua në një tjetër anije dhe më 9 shtator mori drejtimin për në Shqipëri.
Anija mbërriti në Portin e Durrësit pasditen e 12 shtatorit nga ku nisi shkarkimin paraditen e 13 shtatorit dhe sipas të dhënave të hetimit, në mbrëmje doli nga terminali. Por rrugëtimi nuk përfundoi aty, për skanim u kthye një ditë më pas, kur mbërritën sinjalizimet nga partnerët e huaj. Pikërisht kjo procedurë zbuloi ngarkesën e vendosur në pako me ngjyra të ylberit.
Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar nga policia edhe pse hetimet vijojnë.
Ngarkesat e fundit që ishin kapur me drogë në portin e Durrësit datojnë më 18 korrik dhe 3 nëntor 2022, nga 33.5 dhe 7.3 kg kokainë. (A2 Televizion)