7 të arrestuarit e "Enigmës" mbërrijnë në gjykatë, masa të rrepta sigurie

Nga Elitjona Doko
25 Maj 2025, 11:49 | Kronikë

7 të arrestuarit e "Enigmës" mbërrijnë në

Mbërrijnë në Gjykatën e Durrësit, nën masa të rrepta sigurie, 7 të arrestuarit e operacionit policor “Enigma”. Gjykata pritet të japë sot masën e sigurisë për 7 të ndaluarit, shkruan A2.

Nga operacioni “Enigma” u vunë në pranga 7 shtetas, ndërmjet tyre 3 shtetas me rrezikshmëri të lartë, të shpallur në kërkim më parë për vepra penale në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Gjatë operacionit që u zhvillua në një restorant në Gjirin e Lalzit, ku këta shtetas po darkonin, u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të cilat këta shtetas i mbanin me vete, me fishekë në fole gati për qitje.

Emri më i njohur është ai i Xhevdet Plakut, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe që ishte arratisur nga një burg në qytetin e Ankonës në Itali, në muajin janar. Xhevdet Plaku, alias Kiss, 45 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Roma, pasi Gjykata e Breshias, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Në pranga ra dhe shtetasi Flobens Mecia, alias Gega, alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.

Voltan Xhani, 39 vjeç, lindur në Përmet, rezident në Holandë, pasi në muajin shtator 2024, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” kryer në bashkëpunim dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, në funksion të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. Rr., ndodhur në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik dhe në çantën e tij, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishkë në fole gati për qitje;

Jugert Xhani, 35 vjeç, lindur në Përmet, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;

O. H., 38 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;

A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”

Po gjatë operacionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma parash, euro dhe sende të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos