Pesë orë ka zgjatur kontrolli që agjentët e SPAK në bashkëpunim me policinë e Vlorës kanë ushtruar në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Mësohet se agjentët specialë pasi kanë përfunduar kontrollin në banesë, kanë zbritur në pjesën e poshtme, në garazhin e pallatit që ndodhet në zonën e Lungomares.
Nga pamjet e siguruara prej A2 CNN duken qartë shenjat që tregojnë se dera e apartamentit numër 46 që ndodhet në katin e 7 të një pallati është hapur me forcë. Ky detaj u raportua edhe më herë, pasi agjentët e SPAK kërkuan ndërhyrjen e forcave Zjarrfikëse në mungesë të çelësit të banesës së ish-ministrit.
Nuk dihet ende se çfarë kanë gjetur apo çfarë kane sekuestruar agjentët në shtëpinë e ish-ministrit, në një kohë kur hetimet për çështjen e abuzimit me fondet vijojnë, por dera e banesës është bllokuar me shiritat paralajmërues “Vendngjarje, mos kalo”, nga ana e policisë.
Ndërkohë, kontrolli që nisi rreth orës 15:30 dhe përfundoi në mbrëmje është cilësuar si i paligjshëm nga avokati mbrojtës i Beqajt, Ermal Yzeiraj. Ai
Sipas tij SPAK ka ushtruar kontroll në një banesë jo në pronësi të Beqajt, por në të cilën ish-ministri ka jetuar duke lidhur një kontratë qiraje që ka përfunduar në vitin 2020.
“Sot më datë 24.07.2024, rreth orës 14:00, unë si avokat i z. Ilir Beqaj jam kontaktuar në telefon nga oficerët përkatës të SPAK, të cilët më kërkuan të isha prezent në kontrollin që do ti bëhej (sipas tyre) shtëpisë në pronësi të z. Ilir Beqaj në Vlorë, duke më kërkuar gjithashtu që tu sillja nga Tirana dhe çelësin e kësaj shtëpie pasi në rast të kundërt do të shpërthenin derën. Pasi e sqarova oficerin përkatës të SPAK që z. Ilir Beqaj nuk ka asnjë apartament në pronësi në Vlorë ai kërkoi ndjesë se ishte shprehur gabim dhe sqaroi që bëhet fjalë për një banesë që z. Beqaj nuk e ka në pronësi, por e ka patur me qira sipas një kontrate qiraje të vitit 2020. Përgjigja ime ishte që nëse bëhet fjalë për shtëpinë që z. Beqaj ka patur me qira dhe që e ka deklaruar dhe në ILDKPKI, kjo kontratë qiraje e 2020 ka kohë që nuk është më në fuqi dhe z. Ilir Beqaj ka kohë që nuk e përdor më këtë shtëpi me qira, prandaj unë si avokat nuk kisha përse të nisesha nga Tirana për në Vlorë për të marrë pjesë në kontrollin e një banesë që ishte në pronësi dhe në përdorim të dikujt tjetër dhe madje një kërkesë e tillë ishte dhe tërësisht e paligjshme. Z. Ilir Beqaj nuk është as qiramarrës dhe as posedues i këtij apartamenti. Madje nuk ka sens logjik që z. Beqaj të jetë përdorues i këtij apartamenti kur të gjithë e dinë që z. Ilir Beqaj është tashmë në ambientet e paraburgimit.”
Kontrolli në këtë banesë ndodh në një kohë kur Ilir Beqaj ndodhet pas hekurave pasi akuzohet për abuzim me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAC.
Beqaj u arrestua në fillim të muajit korrik me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se përmes njerëzve të besuar ka ndërtuar një skemë për të përfituar shuma të mëdha parash duke lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakryera, të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë. (A2 Televizion)