Afera korruptive “Partizani”, Berisha dhe dhëndri i tij në GJKKO më 30 qershor

Nga Xhensila Kodra
12 Qershor 2025, 15:37 | Kronikë

Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, si dhe 3 të pandehurit e tjerë do të shkelin për herë të parë në Gjykatën e Posaçme më 30 qershor, në orën 10:00, datë në të cilën do të zhvillohet seanca e parë e themelit, për aferën korruptive të privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, shkruan A2 CNN. Treshja gjykuese e dosjes kryesohet nga Elsa Ulliri, ndërsa në krah do të ketë dy anëtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.

“Komenti im është vetëm ky: personalisht ne të interesuarit dhe trupa e mbrojtjes nuk ka gjer sot në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim. Nuk kemi vendimin. A mund të imagjinoni ju? Edhe kjo ndodh. Të gjitha të tjerat do përcaktohen nga konsulta me avoketërit”, tha Berisha.

Bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij Malltezin, gjykimi në themel do të nisë edhe për të bashkëpandehurit e tjerë, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina Në gjyq bashkë me ta, Spak çoi edhe tre kompani për akuzën e pastrimit të parave. Për këtë dosje, Berisha kaloi nga arresti shtëpiak në masën e sigurisë detyrim paraqitje nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi vijoi me masën e sigurisë arrest në shtëpi për korrupsion dhe pastrim parash. Më herët ata kërkuan pushimin e çështjes me argumentin se veprat për të cilat SPAK i akuzon janë të pabazuara në ligj. Por kjo kërkesë iu refuzua nga Gjykata. Ndërsa prej 30 qershorit nis procesi gjyqësor normal dhe jo i shkurtuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos