Një 32-vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë së Vlorës për ndërtim pa leje. Sipas Policisë ai po ndërtonte dy godina 1-katëshe në Drimadhes.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë arrestuan në flagrancë shtetasin F. Gj., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi u konstatua se në vendin e quajtur Drimadhes, fshati Kondraq, Dhërmi, po ndërtonte pa lejen e organeve kompetente, dy godina 1-katëshe”, njofton Policia.
Ndërkohë kanë nisur hetimet për 5 persona të cilët dhunuan me grushte një 52-vjeçar në Selenicë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale në Prokurori, pasi ditën e djeshme, në fshatin Kocul, për motive të dobëta, shtetasit R. R., 18 vjeç, M. Xh., 37 vjeç, N. Xh., 71 vjeç, A. R., 21 vjeç dhe Ç. Xh., 31 vjeç, kanë dhunuar me grushte shtetasin T. M., 52 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime fizike”.
Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin J. K., 48 vjeç, pasi ditën e djeshme, në një dyqan në lagjen nr. 2, Sarandë, dyshohet se nën kërcënimin e një mjeti prerës (thike), ka vjedhur me dhunë një shumë prej 60000 lekësh nga shitësja e dyqanit, 26 vjeçe, e cila si pasojë ka pësuar dëmtime fizike. Gjithashtu, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. (A2 Televizion)