U bllokuan në det pranë ishullit të Sazanit, policia shpëton turistët e huaj

Nga A2 CNN
2 Maj 2025, 23:07 | Kronikë

U bllokuan në det pranë ishullit të Sazanit, policia shpëton

Policia Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare, shpëtuan disa shtetas të huaj, të cilëve iu rrezikua jeta pasi veliera e tyre pësoi defekt gjatë lundrimit pranë ishullit të Sazanit.

Veliera kishte pësuar defekt në motor dhe për shkak të afërsisë me shkëmbinjtë, rrezikonte përmbytjen dhe përplasjen në breg, shkruan A2.

Njoftimi i policisë:

Policia Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare, u vijnë në ndihmë disa shtetasve të huaj, të cilëve ju rrezikua jeta, pasi veliera e tyre pësoi defekt gjatë lundrimit pranë ishullit të Sazanit.

Gjatë mbrëmjes së sotme, Policia Kufitare Vlorë u njoftua nga Qendra Ndërlidhëse për Operacionet Detare, se në afërsi të ishullit të Sazanit ndodhej në rrezik një mjet lundrues tip velier, me flamur të huaj, i nisur nga Italia me destinacion Kroacinë. Veliera kishte pësuar defekt në motor dhe për shkak të dallgëzimit dhe afërsisë me shkëmbinjtë, rrezikonte përmbytjen dhe përplasjen në breg.

Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në bashkëpunim me Rojen Bregdetare, ndërhynë me shpejtësi duke u ardhur në ndihmë shtetasve të huaj që ndodheshin në bord. Falë reagimit të koordinuar dhe të menjëhershëm, u bë e mundur shpëtimi i këtyre shtetasve pa pasoja për jetën dhe transportimi i tyre i sigurt drejt bregut.

Të gjithë personat në bord u konstatuan në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa u bë i mundur edhe tërheqja e velierës në SPK Triport, Vlorë.

Policia Kufitare vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën e menjëhershme në çdo situatë emergjente. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos