Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë dy persona të moshës 51 dhe 39 vjeç, teksa po vidhnin në një kompleks në rrugën “Fejzi Himzo” në Tiranë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, si rezultat i punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, për zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit P. M., 51 vjeç dhe E. Ç., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë”, njofton policia.
Gjatë operacionit, u sekuestruan disa prej sendeve të vjedhura. Nga hetimet rezulton se të njëjtët persona janë autorë edhe të dy vjedhjeve të tjera, të ndodhura gjatë muajve mars dhe prill, në subjekte të ndryshme në kryeqytet. Nga këto vjedhje janë marrë shuma parash, pajisje elektroshtëpiake, vegla pune dhe pije alkoolike.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar raste të tjera të mundshme ku këta shtetas mund të jenë përfshirë. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. (A2 Televizion)