
Një ditë pas aksidentit tragjik në aksin Sarandë-Delvinë, ku humbën jetën dy motrat nga Delvina Ela dhe Rezi Dhimaku, policia ka arrestuar 23-vjeçarin Kevin Nora, i cili drejtonte makinën tjetër të përfshirë në aksident.
Sipas policisë, Nora, banues në Fier, ngiste makinën e tij, tip Audi, në gjendje të dehur. Për këtë arsye ai akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

“Ky shtetas, më datë 24.08.2025, rreth orës 20:15, në aksin rrugor Delvinë-Sarandë, duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur (nga verifikimet e kryera në vendngjarje ka rezultuar: testi i parë i alkoolit në masën 1.52 mg/l, ndërsa testi i dytë në masën 1.42 mg/l), është përplasur me automjetin tip “Lancia”, me drejtuese shtetasen E. Dh., 22 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, humbën jetën shtetaset E. Dh., 22 vjeçe dhe R. Dh., 20 vjeçe, ndërsa shtetasja A. Zh., 24 vjeçe, mbeti e dëmtuar rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, tha policia.
Nga përplasja mbeti e plagosur edhe shtetasja Antonela Zhupa, që udhëtonte me motrat Dhumaku, e cila më pas u dërgua në spitalin e Sarandës. (A2 Televizion)