Një 30-vjeçar është arrestuar nga policia në Fier në kushtet e flagrancës teksa shiste doza kokaine.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Fier, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore për një shtetas që shiste lëndë narkotike, kanë organizuar punën për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij. Si rezultat, u identifikua dhe u arrestua në flagrancë shtetasi: A. T., 30 vjeç, banues në Fier”, njofton policia.
Uniformat Blu kanë sekuestruar 13 doza kokaine të cilat ky shtetas i hodhi në tokë, në momentin që u konstatua nga efektivët.
“Ky shtetas, kur është konstatuar nga punonjësit e Policisë, në lagjen “Konferenca e Pezës", ka hedhur dozat e lëndës narkotike kokainë, në tokë, dhe ka tentuar të largohet, por është kapur dhe vënë në pranga pas ndjekjes nga punonjësit e Policisë”, informon më tej policia. (A2 Televizion)