Një skenë aksion, si të ishte duke u xhiruar një film, u regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në rrugët e Tiranës, ku një person u arrestua nga efektivë të shumtë policie.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Fortuzi” pranë Shkollës Jeronim DeRada, raporton A2 CNN. Edhe pse nuk ka ende informacion zyrtar nga ana e bluve të kryeqytetit, nga pamjet ekskluzive të xhiruara nga ekipi i A2 CNN, shihet që personi i arrestuar, nxirret me forcë nga një makinë tip Land Rover nga efektivë të shumtë policie.
Në pamje shihet edhe një makinë tip Range Rover e përplasur ndërsa dëme ka pësuar edhe një makinë e policisë.
A2 CNN mësoi se i arrestuari ishte një 42-vjeçar, me probleme të shëndetit mendor, i identifikuar si Enis Vrapi.
Sipas burimeve, veprimet e rrezikshme të të riut nisën që te zona e Medresesë me makinën e tij ai nisi të përplaste disa mjete policie dhe vuri në rrezik jetën e qytetarëve. Brenda mjetit policia i gjeti edhe një armë lodër.
10 ditë më parë ai është ndaluar sërish nga policia dhe ishte shtruar në Spitalin Psikiatrik, por nuk dihen rrethanat e daljes së tij prej andej. (A2 Televizion)