Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin me 4 vjet burg për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, dënim që u ul në 2 vjet e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ky vendim e rikthen në qeli Dakon sepse i kanë mbetur edhe disa muaj nga dënimi. I pandryshuar ka mbetur edhe dënimi përfundimtar nga 2 vjet burg për të bashkëpandehurit e Dakos, Ardian Bulku dhe Fiqiri Farruku.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Miliana Muça (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më datë 16.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 02.04.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues V.D., F.F., A.B., ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Mospranimin e ankimit të të pandehurit F.F. ndaj vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
2. Lënien në fuqi të vendimit nr. 70, datë 25.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht", thuhet në vendimin e Apelit. (A2 Televizion)