Arbër Veliaj përsëri në SPAK, këtë herë me një zarf me dokumente në duar. Sipas burimeve, gjatë dhënies së shpjegimeve ditën e djeshme, Veliaj ka shprehur nevojën për t’i vënë në dispozicion prokurorëve disa dokumente në mbështetje të deklarimeve të tij, shkruan A2 CNN. Vëllai i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ishte dje për herë të parë në SPAK. Për pesë orë me radhë ai u pyet në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit të SPAK ndaj të vëllait, kryebashkiakut, dhe kunatës së tij, Ajola Xoxa.
Në dalje, Arbër Veliaj tha se ishte paraqitur vullnetarisht, duke e komentuar me vetëm një fjali qëndrimin e tij të zgjatur në institucionin e akuzës.
Gjatë muajit dhjetor, SPAK ushtroi kontroll në banesën e Arbër Veliajt, veprim të cilin ai e goditi në të tre shkallët e gjyqësorit, por pa mundur të merrte pas sendet e sekuestruara. Po ashtu, Arbër Veliaj është telefonuar nga kryebashkiaku gjatë kohës që ishte në paraburgim, përmes telefonit të një punonjësi të policisë së burgjeve, veprim që iu përkthye në akuzë të re Erion Veliajt.
Gati një muaj më parë, SPAK mori të pandehur kryebashkiakun Veliaj për “korrupsion”, “pastrim të parave”, “fshehje të pasurisë” dhe “futje të sendeve të ndaluara në burg”. E pandehur u mor edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si edhe disa biznesmenë. SPAK ka afat deri më 29 shtator për ta përcjellë për gjykim dosjen ndaj tyre. (A2 Televizion)