
Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar zyrtarisht Gjykatën e Posaçme për arratinë e Altin Ndocit. Shkresa e DPB u lexua gjatë procesit gjyqësor të dosjes "Plumbi i artë", raporton A2 CNN.
"Nuk mund të bëhet shoqërimi i Altin Ndocit, pasi nuk ndodhet në ambientet e IEVP Durrës, si pasojë e arratisjes së tij nga Spitali Rajonal Durrës. Është shpallur në kërkim nga policia", citoi gjykata shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
A2 CNN raporton se në lidhje me situatën, prokurorët e SPAK në sallën e gjyqit i kërkuan gjykatës t'i drejtohet me shkresë për informacion në lidhje me Altin Ndocin, nëse është i shpallur ose jo në kërkim prej saj. Kjo, sipas prokurorëve, për efekt procedurial.
Seanca u shty për të martën, ndërkohë që gjykata vendosi t'i drejtohet Policisë së Shtetit për t'i konfirmuar nëse është i mundur ose jo gjetja dhe njoftimi i tij për gjyqin. (A2 Televizion)