Drejtori i policisë së Durrësit, Vilson Bala në konferencën e sotme për media dha detaje edhe për arrestimet e kryera mbrëmjen e djeshme në zonën e Shkozetit. Ai konfirmoi se janë ndaluar dy persona me rrezikshmëri të lartë në kuadër të operacionit të koduar “The next Gun".
“Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. H., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje”, sqaroi Bala.
Burime për A2 CNN bëjnë me dije se të arrestuarit janë Erald (alias Aldi Mustafa) dhe Arbi Haxhiu.
Mustafa në vitin 2023 ra pre e një atentati me shpërthim tritoli, në zonën e Shkozetit. Persona ende të paidentifikuar shpërthyen me telekomandë makinën e tij, por Mustafa doli i pa lënduar nga shpërthimi.
Pak minuta para se të ndodhte ngjarja, ai kishte lënë në banesë gruan me fëmijën. 39-vjeçari po ashtu rezulton i përfshirë dhe në disa ngjarje të tjera kriminale.
“39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.”, zbuloi më tej kreu i policisë së Durrësit. (A2 Televizion)