Policia e Durrësit ka dhënë detaje rreth arrestimit të ish-kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Durrës, Ardian Halili, i cili u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje në subjektin e tij “Sent Michele Rezidencë” shkruan A2 CNN.
“Shtetasi A. H. e ka ndërtuar këtë objekt, i cili përbëhet nga 11 kabina tip garsoniere, një godinë 2-katëshe, një fushë minifutbolli dhe një pishinë, në një sipërfaqe toke prej 5,600 m², gjatë kohës kur ai ka ushtruar funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë Durrës dhe konkretisht gjatë viteve 2018-2021. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ndërtimi i këtij objekti pa leje ka filluar prej vitit 2018 e në vijim”, tha në një konferencë për mediat, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues i Parë Vilson Bala.
“Materialet iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për veprat penale: "Ndërtim i paligjshëm me qëllim përfitimi", "Korrupsion i zyrtarëve të lartë" dhe "Shpërdorim i detyrës". Ky rast është dëshmia më e qartë sesi zyrtarë të shtetit, duke shpërdoruar detyrën shtetërore, kanë abuzuar me qëllim përfitimin, në këtë rast të ndërtimit në kundërshtim me çdo ligj e rregull. Shkelja e syrit, apo bërja palë me abuzuesit, apo më keq akoma, të ndërtosh vetë pa leje kur je në detyrë për të parandaluar këtë vepër penale, do marrë fund njëherë e mirë në qarkun Durrës”. (A2 Televizion)