Arrestimi i Çlirim Doganit si bashkëpunëtor në vrasjen e Anesti Ramës disa ditë më parë, për banorët e fshatit Arapaj është një lajm i habitshëm dhe i pabesueshëm. Në një deklaratë për mediat disa prej tyre thonë se 55-vjeçari njihet si njeri me personalitet, i martuar me dy fëmijë dhe prej disa vitesh punonte si shofer i linjës urbane Fier dhe fshatra të zonës Sukë e Strumë.
Vajza e xhaxhait të Çlirimit, Manushe Dogani dhe banori Fatmir Çalamani pohojnë se e njihnin në fshat si njeri të mirë, punëtor e familjar.
“Çlirimin e njoh shumë mirë, është familjar, ka dy fëmijë. Vajzën e ka të martuar, djalin e ka pamartuar. Me bujqësi janë marrë ata. Për ngjarjen nuk jam në brendësi. Por nuk ma merr mendja kurrë që Çlirimi ta bëjë këtë gjë”, u shpreh Manushe Dogani.
“Është djalë i pastër, shumë punëtor dhe nuk ka pasur asnjë problem. Ai ka qenë shofer autobusi, është shumë i saktë, pa probleme. Nuk ma merr mendja që të përfshihet në këto”, u shpreh Fatmir Çalamani. (A2 Televizion)