I burgosuri Sabah Nuzi, i akuzuar për vrasjen për motive gjakmarrje të Klevis Lleshit, për llogari të Aurel Hoxhës, dyshohet se nga burgu urdhëroi vendosjen e tritolit në automjetin në pronësi të Oltjon Klosit, me të cilin kishte konflikt.
Policia njoftoi se ka zbardhur ngjarjen e ndodhur më 10 mars në Tiranë, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në makinën e Klosit. Në pranga kanë rënë shtatë persona, të dyshuar si pjesë e grupit kriminal që organizoi ngjarjen, ndërsa 33-vjeçarit Sabah Nuzit iu komunikua akuza në qelitë e burgut të sigurisë së lartë në Fushë Krujë.
Nga hetimet rezultoi se Sabah Nuzi ka urdhëruar vendosjen e tritolit në makinën e Oltjon Klosit, sepse ky i fundit nuk i kishte shlyer një borxh. Sipas policisë, dyshohet se paratë buronin nga aktiviteti i paligjshëm i trafikut të drogës.
Hetimet zbuluan se lënda shpërthyese në makinë u vendos nga Jurgen Gjonaj. Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti e kanë ndihmuar duke siguruar fotot dhe vendndodhjen e automjetit të dëmtuar, biçikletën me të cilën lëvizte autori, banesën ku ai u strehua dhe sasinë e lëndës eksplozive që u përdor.
Tre anëtarët e tjerë, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla, dyshohet se e kanë transportuar me makinë autorin e vendosjes së tritolit. Këta të fundit akuzohen për përkrahje të autorit të krimit.
Porositësi i kësaj ngjarjeje, Sabah Nuzi, ishte arrestuar më 26 shtator të vitit të kaluar, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal të Aurel Hoxhës, i cili ishte porositësi i vrasjes së 22-vjeçarit Klevis Lleshi. Sabah Nuzi kishte luajtur gjithashtu rolin e ekzekutorit në vrasjen e Lleshit.
(A2 Televizion)