
Një i ri me inicialet E.K., 26 vjeç, është arrestuar në flagrancë nga policia në afërsi të Kamzës, pasi u kap duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara. Në kërkim janë shpallur edhe dy bashkëpunëtorët e tij, F.K. dhe M.G..
Operacioni policor, i koduar “Diversity”, u organizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, bazuar në informacionet operative të mbledhura në terren.
Gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar nga E.K., policia gjeti të fshehura 524 gramë flori në baterinë e automjetit. Po ashtu, u sekuestruan veshje të ndryshme, paketa cigaresh, dy makina qepëse, si dhe sende e pajisje të tjera të dyshuara të kontrabanduara.
Hetimet paraprake tregojnë se E.K., në bashkëpunim me F.K. dhe M.G., kishin futur në mënyrë të kundërligjshme mallrat në territorin e Republikës së Shqipërisë. (A2 Televizion)