
Policia ka arrestuar këtë të shtunë autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur një ditë më parë në fshatin Verjon të Krujës.
33-vjeçari Eduart Afmataj është vënë në pranga në fshatin Bruzë-Mal, pas një ndjekje të vazhdueshme dhe kontrolleve intensive të efektivëve të policisë, raporton gazetari i A2CNN Igli Çelmeta.
Afmataj dyshohet se qëlloi për vdekje me armë zjarri fqinjin e tij, Artur Çangu, në orët e mbrëmjes së djeshme.
Burime bëjnë me dije se menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari ka kontaktuar vetë policinë për të njoftuar mbi krimin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Hetimet paraprake tregojnë se mes autorit dhe viktimës kishte pasur një konflikt disa ditë më parë, i lidhur me çështje pronësie. Përplasja mes tyre ka degraduar në përdorimin e armës së zjarrit, duke përfunduar tragjikisht.
Në njoftimin e policisë thuhet: "Kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari që dyshohet se vrau me armë 48-vjeçarin, dje, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, pas një ndjekje të vazhdueshme, të pandërprerë dhe kontrolleve intensive me qëllim kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në fshatin Verjon, Krujë, kanë kapur në vendin e quajtur “Bruz-Mal” dhe kanë vënë në pranga shtetasin E. A., 33 vjeç, banues në Verjon. Ky shtetas dyshohet se, ditën e djeshme, ka vrarë me armë shtetasin A. Ç., 48 vjeç, për motive të dobëta, dhe pas kryerjes së krimit u largua nga vendi i ngjarjes".
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(A2 Televizion)