Një arsenal armësh është zbuluar në fshatin Picallë të Tiranës, në një banesë që dyshohet se përdorej për furnizimin e grupeve kriminale.
Në lidhje me rastin, u arrestua në flagrancë një 66-vjeçare, ndërsa është shpallur në kërkim poseduesi i dyshuar i bazës së armatimit. Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, bën me dije se në kërkim është 41-vjeçari Oltjan Qershori, ish-ushtarak.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit u sekuestruan 9 armë zjarri, konkretisht 5 automatikë, 1 pushkë dhe 3 pistoleta, si dhe 1 armë gjahu, një bajonetë dhe silenciator. Në ambient u gjetën gjithashtu uniforma dhe pajisje të ngjashme me ato të Policisë.
Po ashtu, u sekuestruan rreth 900 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, si dhe materiale të rrezikshme si fitila zjarrpërcjellës dhe kapsolla detonatore.
(A2 Televizion)