
Struktura e Posaçme, SPAK, ka vendosur të pushojë hetimin e nisur ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri. Në përfundim të kryerjes së një sërë veprimesh hetimore, prokurorët e SPAK i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë për pushimin e çështjes penale.
Kërkesë për pushim nga SPAK është bërë edhe për 4 personat e tjerë të hetuar për këtë çështje, Vilma Zhupaj, Lindita Skena, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega. Burime pranë SPAK bëjnë me dije se pushimi i çështjes është kërkuar për një episod ku ish-zyrtarët e Prokurimeve dyshohen për “shkelje të barazisë në tendera”.
Ndërsa në një çështje të ndarë, SPAK vijon hetimin ndaj Myzyrit dhe disa personave të tjerë mbi dyshime për disa vepra penale, mes të cilave edhe “shpërdorimi i detyrës”. (A2 Televizion)