Kanosën babë e bir, arrestohen tre persona në Shkodër, zbulohet biznesi i kundërligjshëm

Nga A2 CNN
11 Prill 2026, 11:36 | Kronikë

Kanosën babë e bir, arrestohen tre persona në Shkodër,

Tre persona janë arrestuar në Shkodër, pasi dyshohet se kanë kanosur dy shtetas, babë e bir.

Sipas policisë, në pranga ranë shtetasit G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), si dhe A. B., 61 vjeç, të tre banues në Shkodër. Ata akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ushtruar kanosje për motive të dobëta ndaj dy personave të tjerë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në aktivitetin tregtar të dy prej të arrestuarve, policia konstatoi edhe një veprimtari të kundërligjshme në fushën ushqimore. Sipas hetimeve, ata prodhonin produkte ushqimore të pamiratuara nga autoritetet përkatëse dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare.

Në vijim, u bë bllokimi i aktivitetit dhe u sekuestruan si prova materiale etiketa dhe stampa për tetë produkte të ndryshme ushqimore, si dhe tre aparate celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për disa vepra penale, përfshirë “Shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “Fshehjen e të ardhurave”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale”, “Mashtrimin me produktet ushqimore” dhe “Prodhimin e kundërligjshëm të artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos