
Policia belge ka arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi është i akuzuar nga GjKKO, si pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar dhe shitur sasi të mëdha të lëndëve narkotike, në disa shtete.
“Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve në Belgjikë, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bazë të informacioneve të shkëmbyera në kuadër të një hetimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja në Belgjikë, e shtetasit: J. K. alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak”, tha policia.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim e datës 04.04.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e saj, në shtete të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale, ky shtetas i ka investuar në 2 pasuri të paluajtshme (lokale), në Shijak”. (A2 Televizion)