
Tre makina luksoze janë sekuestruar nga Policia e Vlorës gjatë kontrolleve të ushtruara në qytet një natë më parë, raporton A2 CNN.
“Në zbatim të Planit të Masave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për kontrollet ndaj automjeteve luksoze, strukturat për Hetimin e Krimeve kanë ushtruar kontrolle dhe verifikime ndaj automjeteve në dukje me vlera të larta.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, u shoqëruan disa prej automjeteve dhe, nga verifikimet e kryera, rezultoi se tre automjete luksoze, të prodhimit të viteve të fundit, nuk justifikoheshin me të ardhurat e njohura dhe të ligjshme të poseduesve/drejtuesve të tyre”, tha policia.
Në vijim të veprimeve verifikuese dhe deklarimeve të marra, automjetet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa 3 shtetasit u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Gjithashtu, ka nisur hetimi pasuror ndaj pronarëve/poseduesve të këtyre automjeteve, për të verifikuar burimin e pasurisë dhe mënyrën e përfitimit të saj. (A2 Televizion)