Fatjon Softa, ekspert i kriminalistikës, në studion e “Dita Jonë” nga Bora Shahini dhe Rei Bezhani, në A2CNN, tregoi dinamikën e ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja brenda institucionit.
“Me armë në brez ka hyrë në sallën e gjykatës dhe kur gjyqtari ka dhënë vendimin ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar në gjoks me 3 plumba. Ka qëlluar edhe dy persona të tjerë, të cilët ishin palë në gjyq. Ka dalë, ka dorëzuar armën te punonjësi i sigurisë dhe është dorëzuar. Kjo tregon se ai ishte koshient”, tha Softa.
Sipas ekspertit të sigurisë, duhet të ketë nivele të ndryshme mbrojtjeje për gjyqtarë të ndryshëm.
“Duhet të ketë filtra për kontrollin e personave dhe unë mendoj se siguria e gjyqtarëve duhet të jetë e klasifikuar. Ata që kanë dosje për krime, për prona dhe për korrupsionin, kanë rrezik më të lartë sesa ata që merren me çështje divorcesh për shembull”, shtoi Softa.
“Gjyqtarët e SPAK-ut kanë status të veçantë sa i takon mbrojtjes. Këtë status e marrin edhe ata që e kërkojnë nëse janë kërcënuar. Që të kuptohet nëse funksionon apo jo ky sistem mbrojtës, duhet testuar. A është testuar ndonjëherë? Nuk është siguria që të vendosësh një person aty, një skaner dhe të kontrollojë këdo që të hyjë”, tha Softa. (A2 Televizion)