Një 24-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Shtetit, pasi përmes postimeve në rrjetin social TikTok, bënte thirrje të drejtpërdrejta për akte dhune, përfshirë nxitjen për djegien e një automjeti të Policisë së Shtetit.
Pas monitorimeve të kryera nga strukturat e specializuara, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike nisi menjëherë hetimet dhe identifikoi autorin e postimeve, Devis Faruku, banues në Sukth, Durrës. Ai u ndalua në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Antiterrorizëm dhe Policinë Vendore të Durrësit.
Në një nga videot e publikuara, 24-vjeçari i bënte thirrje qytetarëve të shikonin aktin e djegies së një makine policie, duke promovuar dhunën dhe duke nxitur reagime të rrezikshme publike. Ai akuzohet për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. (A2 Televizion)