Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta tani më jo vetëm në drejtim të SPAK, si institucion, por edhe ndaj vetë Altin Dumanit. Në konferencën për mediat, Berisha e cilësoi Dumanin si një “majtist i pakorrigjueshëm”, duke e akuzuar se mbron qeverinë Rama.
“Arsyeja pse e bëjnë këtë është se këta nuk guxojnë kurrë që qeverinë e partisë së tyre, se unë ju kam thënë që ky Dumani është një majtist i pakorrigjueshëm- pra ky nuk mund të pranojë që qeveria e partisë së tij të shpallet organizatë kriminale. Se nëse e merr në zhvillim ose në tërësi çështjen e inceneratorëve, për çdo njeri normal, kryetar ka Edi Ramën, zëvendëslejtnant ka Engjëll Agaçin që ka marrë pushtetin që nuk i takon, ka pastaj ministra, Erion Veliajn fill pas Ramës dhe me radhë. Mirëpo kjo nuk mund të ndodhë. Partia e Rilindjes nuk mund të jetë organizatë kriminale, ndaj dhe e copëzojnë.
Por ky është sistem gjobitjesh në rrugë. Këtu, po të merrni ju Beqajn dhe Erion Veliajn, kush është më rëndë, është Erioni, se të paktën Beqaj doli në gjykatë. Dhe përsëri çfarë besimi kanë skapistët? Formuluan amnistinë e dytë për Beqajn. Pra, Skapi është një institucion politik, zhvatës, gjobëvënës, një instrument që përdoret për ambiciet politike të Edi Ramës. Ndryshe nuk ka njeri që mund të kuptojë talljen e tmerrshme me amnistinë e dytë të Ilir Beqajt”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe te dosja McGonigal, për të cilën vetë Dumani në një takim informal me gazetarët tha se po hetohet. Për Berishën, një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Ai tha se kjo dosje njësoj si shumë të tjera, do të kenë të njëjtin fat.
“Vetë Skapi është i kapur nga McGonigal. McGonigal ka disa aspekte. Po marrim aspektin e parë. Tradhti e lartë ndaj SHBA-së si i rekrutuar nga shërbimet ruse. Nuk faktohet, siç thonë deri më tani, por edhe për mua, edhe po të faktohej, nuk është kjo më e rënda. Është një akt tradhtie, në botën e spiunazhit nuk është gjë e jashtëzakonshme.
Por McGonigal, aspektin më të zi nuk e ka se është marrë me dosjen e Sali Berishës. Jo! Është ideologjikisht i motivuar kundër parimeve të Berishës dhe e lufton. Mendon se vërtetë mund të ketë hetim? Mos e pyet, asnjë hetim nuk do të ketë. Është e vërtetë se Gazment Bardhi ka dorëzuar një dosje para dy muajsh, por është e vërtetë se ajo dosje do të ketë fatin e të gjitha të tjerave”, tha Berisha. (A2 Televizion)