Ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet edhe njëherë me Gjykatën e Lartë, në një përpjekje për të shuar një masë sigurimi personale. Në Gjykatën e Lartë ish-kreu i qeverisë, i pandehur për “korrupsion” në dosjen “Partizani”, kërkon shfuqizimin e “detyrimin për paraqitje”, masë e caktuar ndaj tij nga Apeli i Posaçëm.
Rekursi i Berishës ndaj vendimit të Apelit është regjistruar në Gjykatën e Lartë këtë të premte dhe në ditët në vijim do të përzgjidhet relatori i çështjes. Në rekurs, avokatët e ish-kryeministrit, kanë pretenduar se masa ndaj tij nuk është proporcionale dhe se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për mbajtjen e saj.
Më 3 janar Apeli i Posaçëm vendosi të detyrojë Berishën të paraqitet në SPAK 2 herë në muaj, duke rrëzuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, që më 27 nëntor liroi Berishën nga “arresti shtëpiak” 11 mujor dhe e la atë pa asnjë masë sigurie.
Masa e re “detyrim për paraqitje” është zbatuar me përpikëri nga ish-kryeministri, që vizitat e tij në SPAK i ka kthyer edhe në momente kule mesazhe ndaj Strukturës së Posaçme, si edhe mbaj fjalime para mbështetësve.
Më herët, Berisha ka “trokitur” në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar masat “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit ”dhe më pas atë të “arrestit në shtëpi”, ku në të dy rastet ka marrë përgjigje negative.
Rekurs në Gjykatën e Lartë ka paraqitur edhe i pandehuri tjetër i dosjes “Partizani”, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Berisha. Malltezi kërkon të të shfuqizojë vendimin e Apelit të Posaçëm, që latë pa ndryshuar masën e sigurisë "arrest në shtëpi" ndaj tij, masë në të cilën qëndron prej nëntorit të vitit 2023. (A2 Televizion)