Klodiana Shyti, bashkëshorte e Arben Mërkurit, i njohur me nofkën "Maneci" i vrarë në maj 2022, ka dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Plaurent Dervishajt.
Në gjyq, Shyti tha se nuk e njihte rrethin shoqëror të bashkëshortit të saj dhe nuk ishte në dijeni të ndonjë aktiviteti të paligjshëm të tij, shkruan A2 CNN.
Nga ana tjetër, Plaurent Dervishaj dhe avokati i tij, Ilia Ilia i kanë thënë dëshmitares së bashkëshorti i saj i ndier ka qenë vrasës me pagesë.
Ata kanë thënë gjithashtu se që ‘Maneci’ ishte një vrasës me pagesë, e kanë bërë të qartë edhe mediat.
Pjesë nga dëshmitë në gjyq:
Shyti: Nuk e di pse jam këtu. Nuk e di pse më keni thirrur. Arben Mërkurin e kam pasur bashkëjetues. Nuk njoh ndonjë shok të tij. Aleksandër Lahon nuk e njoh, as Genc Malokun. Ka ndërruar jetë, më duket në 18 maj. Kemi një dyqan. Ndodhet në Sukth, Durrës. Më parë ka pasur mbiemrin Ismaili, janë me orgjinë çame. Motra e burrit ka vdekur në Itali. Nuk kam dijeni për rrethanat e vrasjes. Prej 15 vitesh kemi bashkëjetuar. Rrethin shoqëror nuk ia njoh. Kam qenë në punë, nuk di gjë fare. Kemi një djalë dhe një vajzë. Nuk i njoh askënd. Numrin e tij të celularit nuk ia mbaj mend, as timin nuk e mbaj mend.
Avokati: Shkaqet, arsyet e vrasjes?
Shyti: Nuk di asnjë gjë. Ne ishim duke pastruar. Dikush e mori në telefon. Më tha vazhdoni pastroni ju, se unë do ta bëj një xhiro. Dëgjuam zhurmë arme kur po zbriste shkallët. Më tha djali, “mami, babin e vranë”. Ishte Beni shtrirë, ishte një person, aty pranë ishte dhe Arben Domi. Rastësisht. Ishte shofer në bashkinë e Durrësit, i këtyre plehrave të qytetit.
Plarent Dervishaj: Nga mediat nuk e ke marrë vesh se çfarë bënte burri jot? Burri jot në media thuhet që ka qenë vrasës me pagesë.
Shyti: S’është e vërtetë.
Dervishi: Nuk e dyshoj që ai vinte në shtëpi e thoshte, “nesër do vras këtë”. As nuk dyshoj që ti t’i thoje shko e vrit filanin.
Shyti: Nuk di asnjë gjë.
Dervishi: Burri jot ka dhunuar dy gazetarë. Kështu thuhet në media.
Shyti: Nuk di asgjë.
Avokati Ilia Ilia: Keni dëgjuar se burri juaj ka qenë vrasës me pagesë nga dokumentet. Fëmijët tuaj, a kanë lexuar nga mediat që ka qenë vrasës me pagesë. Janë burime të mirëfillta, të sigurta juridike. Nuk ju ka thanë, “mamë, po lexoj këtë gjë”. Nuk e keni dëgjuar nofkën “Maneci”.
Shyti: Hera e parë, e lexova para pak kohësh në media. (A2 Televizion)