Një 36-vjeçar është arrestuar nga policia pasi plagosi veten me armë zjarri aksidentalisht, raporton A2 CNN. Olsi Alisinanaj u paraqit rreth orës 02:40, në Spitalin Rajonal Vlorë, i plagosur në këmbë me armë zjarri. Por policia arriti të zbulonte se ai kishte qëlluar veten aksidentalisht. Në pranga përfundoi edhe shoku i tij, Gerti Meto, i cili fshehu armën e zjarrit dhe nuk kallëzoi ngjarjen.
“Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, si dhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, tek vendi i quajtur “shkallët e varrezave të dëshmorëve”, ku 36-vjeçari ishte vetëplagosur aksidentalisht me armë zjarri të llojit pistoletë. Gjithashtu, u konstatua se në momentin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe shoku i tij, shtetasi G. M., 42 vjeç, banues në Vlorë, i cili pas ngjarjes ka kryer veprime për fshehjen e armës së zjarrit dhe së bashku me të dëmtuarin, nuk kanë kallëzuar ngjarjen”, tha policia.
Alisinanaj akuzohet për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”; ndërsa Meto për “Armëmbajtja pa leje”, “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Policia nuk ka arritur të gjejë armën e zjarrit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)