“Është shumë e rëndë kjo. Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se gjithë telefonët e botës i kanë mbledhur atje”.
Deklarata e kryeministrit Edi Rama, dy ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, evidentoi një nga praktikat më të shpeshta të SPAK, sekuestrimin e aparateve telefonikë celularë ndaj personave të dyshuar, apo nën hetim.
Në të vërtetë, sipas SPAK, zbërthimi i aparatëve celularë ka qenë vendimtar në sigurimin e provave edhe në dosjet hetimore më të rëndësishmë ndaj zyrtarëve të lartë, apo krimit të organizuar.
Por sa është numri i telefonëve të sekuestruar nga SPAK? Raporti vjetor i SPAK i publikuar pak ditë më parë, zbulon se vetëm gjatë vitit 2025, i janë nënshtruar ekspertizës 503 telefona celular e tableta. Po ashtu, në filtrat digjitalë të SPAK kanë kaluar edhe 98 kompjutera, 14 DVR dhe 153 prova digjitale, hard-disqe, usb e karta memorieje.
Shifra e telefonave të ekspertuar ka qenë edhe më e lartë në vitin 2024, 553 të tillë. Sipas SPAK, në total në 4 vitet e fundit, në laboratorin digjital të SPAK janë zhbiruar plot 1791 aparatesh telefonikë të lëvizshëm. “Telefonat celularë përbëjnë vazhdimisht rreth 70-75 për qind të provave totale, duke nxjerrë në pah rëndësinë e analizës së metadatave, komunikimeve online dhe aplikacioneve të enkriptuara”, thuhej në raport.
Nga ana tjetër SPAK e konsideron të ngarkuar vitin që lamë pas edhe sa i përket përgjimeve të kryera. Gjatë vitit 2025 kjo metodë është përdorur në 186 hetime dhe në total SPAK ka përgjuar 3004 telefona celularë/numra telefonikë.
Në këtë drejtim, SPAK ka mundur gjatë vitit të shkuar të miratojë fondet edhe për blerjen e një pajisje IMSI-CATCHER, pajisje për identifikim, detektin dhe lokalizim të telefonave celularë, si edhe të përmirësojë sistemin e përgjimit, projekte me vlera përkatëse 1.8 dhe 3.3 milionë euro. (A2 Televizion)