Defekti në tubacionin kryesor që furnizon Vlorën me ujë dhe qe la një pjesë të madhe të qytetit pa furnizim për 5 ditë, është objekt i një hetimi të nisur nga policia e qytetit bregdetar, shkruan A2 CNN.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat pranë zonës ku ndodhi defekti, për të dokumentuar me saktësi momentin, rrethanat dhe çdo element që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ndërsa fokusi do të jetë jo vetëm te shkaku teknik i defektit, por edhe te mënyra se si është menaxhuar rrjeti i ujësjellësit dhe përgjegjësitë institucionale për mirëmbajtjen e tij.
Hetimi do të synojë të përcaktojë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në këtë situatë. (A2 Televizion)