Këto janë pasojat që la pas shpërthimi i fortë që tronditi qytetin e Lezhës mbrëmjen e së dielës rreth orës 23:00 në lagjen “Besëlidhja”. Siç duket edhe nga pamjet dëmtimet janë të mëdha, ku të paktën 8 biznese janë dëmtuar në fasadën e jashtme por edhe në brendësi.
Sipas policisë shpërthimi ka ndodhur në një byrektore, duke lënë pasoja të mëdha në dëme materiale, jo vetëm në objektin ku ka ndodhur shpërthimi, por edhe në bizneset ngjitur, në 3 makina të parkuara aty pranë dhe në xhamat e pallateve.
Sipas hetimeve të policisë, shpërthimi ka ardhur si pasojë e rrjedhjes së gazit në byrektoren në pronësi të shtetasit K.M., ku burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në byrektore ndodheshin dy bombola gazi 20 litërshe.
Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, pasi në momentin që ka ndodhur shpërthimi si pasojë e rrjedhjes së gazit bizneset kanë qenë të mbyllura dhe nuk ka pasur as qytetarë duke lëvizur në trotuarin pranë vendngjarjes.
(A2 Televizion)