Gjykata e Posaçme vijoi, këtë të premte, me dëgjimin e dëshmitarëve të SPAK në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Dëshmitari Zabit Çuku, ish-ushtarak në rezervë tha se kishte punuar për gati një muaj në Gërdec, si specialist demontimi.
"Na ftoi Sokol Ngjeci për demontim. Na organizoi një takim me Delijorgjin. Ne do ishim si skuadra e sigurimit teknik. Unë kisha 6-8 veta nën mbikëqyrje", tha dëshmitari.
Sipas Çukut, për punën në Gërdec ai nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë. "Rregullore me gojë për punën pati, por jo me shkrim", tha dëshmitari.
Në lidhje me ditën e ngjarjes, dëshmitari tha se kishte dëgjuar një zë gruaje që thoshte "mori flakë" dhe gati 20-30 metër larg kishte parë tym të bardhë, që e kishte njohur si tym baruti.
“U kërkova punëtorëve të iknin shpejt. U larguam për rreth 350 metra. Nga shpërthimi i dytë më ra një copë predhe në kokë, si edhe kam thyer këmbën", tha ish-ushtaraku.
Për shkakun e shpërthimit, Çuka tha se pas ngjarjes kishte dëgjuar se ishte shkaktuar nga ndezja e barutit në karrocën e saposalduar.
DËSHMIA E PLOTË e Zabit Çukut:
“Në Gërdec jam punësuar më 21 janar 2008. Aty kam vajtur së bashku me disa ish-ushtarakë të tjerë që ishim liruar nga detyra. Merrnim 3 mijë lekë në ditë. Njoftimin për të shkuar në Gërdec mora nga Sokol Ngjeci. Detyra jonë ishte të merreshim me sigurinë teknike për shkak të profesionit si ish-xhenier. Grupi që unë drejtoja ishte i përbërë nga disa veta. Isha 20-30 metra nga vendi ku ra zjarri. Unë punoja te predhat, të cilave u hiqnim djegoret me çelës mekanik dhe forcën e krahut. Ditën e ngjarjes në shesh kishte shumë barut ishte më tonë mund të them. Veizi ose Vangjeli na ndanin punët. Kam përvojë në demontimin e minave detare, kemi bërë gati 2700 tonë. Në Gërdec unë i hiqja djegoret me forcën e krahut. Ditën e ngjarjes në shesh kishte shumë barut që kishte ngelur edhe nga më herët u bëmë vërejtje që të hiqej baruti. Në 12 pa ca kam dëgjuar një grua që të bërtas ik me vrap se zjarr. Kam parë tym të bardhë si ai i barutit. Më pas kam marrë punëtorët e mi dhe kam ikur me vrap. Më pas unë jam dëmtuar nga shpërthimi i dytë, më ka kapur në kokë një copë predhe dhe kam thyer këmbën. Në Gërdec janë demontuar predha nga 12.7 deri në 152 mm. Për predhat 100mm ishte krijuar një vend i posaçëm me mure betoni me vrima ku bëhej çmontimi i tyre pasi janë specifike.” (A2 Televizion)