Dështon edhe seanca e tretë, Veliaj nuk shkon në gjyq, debate mes prokurorit dhe avokatit

Nga Armand Bajrami
1 Prill 2026, 16:18 | Kronikë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mungoi në gjyqin e tretë në themel në GJKKO në ngarkim të tij dhe 29 personave e shoqërive të pandehur. Veliaj i kishte dërguar një shkresë trupit gjykues ku e informonte se po lexonte dosjen hetimore dhe pasi të njihet me to do të paraqitet vetë në gjyq për t'u mbrojtur. Ai u përfaqësua në seancë nga avokati i tij i ri, Plarent Ndreca.

Gjykata pezulloi sërish afatet e paraburgimit për Veliajn dhe biznesmenin Elman Abule. Seanca u shtyu më datë 3 prill për shkak se mungoi Artan Simoni, avokati i gardianit të Burgut të Durrësit, Fatjon Baci, i pandehur edhe ai në këtë proces.

Gjykata i caktoi Bacit një avokat kryesisht, Pranvera Doçin dhe urdhëroi shoqërimin e detyruar të tij në seancën e radhës. I pandehuri tjetër në këtë proces, biznesmeni Fatmir Bektashi nëpërmjet avokatit të tij kërkoi për t'u gjykuar më vete. Kjo kërkesë u bë shkak për një debat mes prokurorit Ols Dado dhe avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca.

Dado u shpreh kundër kërkesës, duke thënë se kjo është një strategji e Veliajt për të zvarritur procesin gjyqësor. Por, ky pretendim i prokurorit u hodh poshtë nga avokati i Veliajt, i cili e quajti reagimin e Dados, emocional.

Seanca e 1 prillit është e treta në themel ndaj kryebashkiakut Veliaj dhe 29 personave e shoqërive të pandehur. Veliaj ndodhet në burg prej 10 shkurtit 2025, pasi SPAK e akuzon për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos