Detaje të reja nga operacioni "Fingerprint", edhe një grua mes të arrestuarve

Nga Igli Çelmeta
25 Shtator 2025, 12:18 | Kronikë

Detaje të reja nga operacioni "Fingerprint", edhe një grua

Detaje të reja nga operacioni i koduar “Fingerprint”, i zhvilluar nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane.

Operacioni çoi në shkatërrimin e tre bandave kriminale që vepronin në Itali, Holandë dhe Zvicër.

Hetimet e kryera nga autoritetet italiane përfshinë 32 persona të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike. Si rezultat, 12 prej tyre u arrestuan, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, shkruan A2.

Gjatë goditjes u sekuestruan 2 kilogramë kokainë dhe 22 kilogramë kanabis.

Një nga nën-grupet e organizatës kriminale përbëhej nga shtetas shqiptarë, të cilët furnizonin me shumicë kokainë nga Holanda drejt Italisë. Në këtë grup vepronte edhe një grua shqiptare, e cila përfundoi në pranga.

Një tjetër grup trafikonte më pas kokainë nga Firence drejt Zvicrës. Dërgesat realizoheshin përmes makinave të pajisura me vende të posaçme për fshehjen e drogës.

Hetimi u përforcua nga një foto e siguruar nga karabinierët, ku dukej qartë një dorë që mbante kokainë, duke bërë të mundur identifikimin e personit dhe zbërthimin e strukturës së organizatës.

Në këtë operacion mori pjesë edhe policia shqiptare. Një ditë më parë, në Fier u arrestua 41-vjeçari Edi Hoxha, i njohur edhe si Edison Hoxha, i dyshuar si koordinator i veprimtarisë kriminale të organizatës. Ai akuzohet se gjatë viteve 2020–2021 ka udhëhequr trafikimin e kokainës dhe kanabisit nga Shqipëria drejt Italisë dhe Zvicrës.

Grupi kriminal po hetohet për veprimtarinë e tij në Shqipëri, Itali dhe Zvicër gjatë periudhës 2020–2021. Aktualisht, 20 persona të tjerë mbeten në kërkim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos