
Kompania “Arlis” që ka ndërtuar pallatin e djegur të martën në Tiranë, është zotuar ta rindërtojë atë edhe pse pretendon se nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore për shkak se ka ndjekur të gjitha rregullat.
“Në funksion të transparencës me opinionin publik, dëshirojmë të sqarojmë se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa asnjë shtesë katesh apo devijim nga projekti i aprovuar. Përveç sistemeve anësore që janë veranda, të cilat gjithashtu janë miratuar nga organet kompetente. Të gjitha punimet janë realizuar duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, këto punime janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente, duke garantuar përmbushjen e të gjitha kërkesave teknike dhe ligjore”, thuhet në reagimin e saj, përcjell A2 CNN.
“Gjithashtu, shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindërtimin e të gjitha apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin në çelësa në dorë në momentin e dorëzimit. Ky angazhim synon të kontribuojë në rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës dhe në minimizimin e pasojave të kësaj ngjarje”.
Më herët, Ndërkohë, ndërtuesi i pallatit është shpallur në kërkim policor, pasi do të merret në pyetje. Gjithashtu 4r persona janë ndaluar në lidhje me incidentin. Gazetari Igli Çelmeta raporton se të ndaluarit janë inxhinieri i kompanisë Enver Ademi, kontraktori që ka bërë fasadën Altin Furtuna, menaxherja e marketit, Razie Sula, si dhe administrator i pallatit Agron Cara.
Nga zjarri shtatë persona u dërguan në spital, mes tyre edhe zjarrfikës që punuan për shuarjen e flakëve dhe evakuimin e banorëve. (A2 Televizion)