Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i pandehur në dosjen "Gërdeci" po paraqet para Gjykatës së Posaçme kundërshtitë e tij mbi përgjigjet e ekspertëve për akt-ekspertimin tekniko ushtarak.
“Sipas urdhrave të Shtabit të Përgjithshëm, del qartë, që shpenzimet për transportin e municioneve nuk kanë qenë pjesë e kompetencave të Ministrit të Mbrojtjes.
Sipas ligjit për buxhetin, fondet e donatorëve për demontim, konsiderohen si pjesë e buxhetit të Ministrisë se Mbrojtjes, qoftë grante, qoftë kredi. Në çdo rast tjetër transporti është bërë nga Forcat e Armatosura”, deklaroi Mediu.
Pjesë nga deklarata e Mediut
A ka pasur incidente me humbje jete para dhe pas Gerdecit? Ekspertet nuk janë përgjigjur. Vetë ekspertët japin përgjigje për rrezikshmërinë e procesit. Procesi i demontimit ka qenë gjithmonë i rrezikshëm. Raste të tilla ka pasur në Itali e Gjermani, por edhe në Shqipëri, siç ka ndodhur në Gramsh. Po ashtu aksidenti në Dhëmblan, Tepelenë, ku u plagosën 3 ushtarakë dhe një humbi jetën. Humbje jete ka pasur edhe në Poliçan e Skrapar. Procesi është i rrezikshëm, por ministri nuk është ekspert as për procesin dhe rregullat. Njohuritë e plota janë të ekspertëve ushtarakë.
Detyrat e ministrit janë përmbushur. Janë nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për procesin. Gjithçka tjetër i përkiste Forcave te Armatosura.
Aktet ligjore kanë qenë të plota. Ekspertet nënvlerësojnë disa informacione të rëndësishme. Ministri pasi ka marrë një informacion nga Policia Ushtarake për veprime të paligjshme nga një prej kompanive kontraktore në Gërdec, ka bërë shënim dhe kërkuar marrjen e të gjitha masave.
(A2 Televizion)