Gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe noterë të Durrësit dhe Fierit u ftuan nga grupi i punës për hartimin e kodit të ri penal, në një diskutim profesional mbi risitë dhe përcaktimet e reja që synohen të përfshihen në këtë kod.
Pas prezantimit nga kryetari i grupit të punës, Arben Rakipi, të pranishmit – kryesisht gjyqtarë – zhvilluan diskutime të ndryshme mbi parashikimet e kodit dhe zbatueshmërinë e tyre në kushtet e sistemit të drejtësisë në vendin tonë, shkruan A2 CNN.
Përveç shumë diskutimeve, gjyqtarët u ndalën edhe tek përcaktimet e propozuara në kodin e ri që lidhen me ndjekjen penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendimet e të cilëve shfuqizohen nga gjykatat më të larta.
Ky është takimi i dytë i grupit të punës për hartimin e kodit të ri penal me grupet e interesit, ndërsa takime të tjera të ngjashme janë parashikuar të zhvillohen në të gjithë vendin. (A2 Televizion)