“Pashë plumbat që dolën nga makina”... Si u realizua atentati ndaj Arjan Ndojës? A2 CNN zbardh fjalën e dëshmitarit okular Stiven Mziu

Nga Armand Bajrami
19 Shtator 2025, 12:22 | Kronikë

“Pashë plumbat që dolën nga makina”... Si u realizua

Stiven Mziu, dëshmitar okular në atentatit që iu bë ish-prokurorit Arjan Ndoja, tashmë deputet i Partisë Demokratike, në vitin 2019, tregon në Gjykatë momentin kur u qëllua ndaj makinës.

Mziu tregon se ditën e atentatit kishte qëndruar me Aleksandër Lahon për drekë dhe pasi ky i fundit ishte takuar me Ndojën dhe kishte pirë kafe, kishte hipur në makinën e tij, ndërsa vetë Mziu i kishte ndjekur nga pas me mjet tjetër.

Pjesë nga dëshmia e Stiven Mziut

"Kam punuar tek Ujësjellësi në Shijak. Aleksandër Lahon (Rrumin) e njoh. Kam udhëtuar në makinë me të.

Në 1 nëntor 2019 kemi qenë në një Benz, që nuk ishte i imi. Jam takuar në Sukth me Rrumin. Kemi vajtur në Durrës. Kemi drekuar, kemi pirë kafe. Jemi kthyer prapë në Sukth. Pasdite shkuam prapë në Durrës dhe pime kafe tek "Korali" në plazh.

Rrumi takoi disa persona, por nuk i njoh. Erdhi aty edhe Andi Maloku, që ka qenë me prokurorin Arjan Ndoja. Me atë do takohej Rrumi.

Kanë qëndruar rreth një ore tek Korali. Ne kemi qëndruar tek kafja ngjitur. Pasi dolën nga lokali, unë prisja të merrja Rrumin.  Dolën njëkohësisht me Arjanin. Hipën në një makinë, atë të Arjanit. U nisëm për Sukth. Para ishte mjeti i tyre, pastaj unë, në distancë të afërt.

U futëm në autostradë. Pa shkuar tek mbikalimi i Shkozetit, na parakaluan dhe qëlluan mjetin e prokurorit.

Ishte një mjet gri. Zhurmë nuk dëgjova se kisha xhama mbyllur, por pashë plumbat që dolën nga makina.

Makina e prokurorit devijoi nga rruga. Unë vetëm ju dhashë ndihmën e shpejtë.

Mjetin e drejtonte Andi Maloku. Në sediljen e parë qe prokurori dhe pas Rrumi. Të tre u dëmtuan në ngjarje.

Jam takuar me Pëllumb Muharremin (Rrumin) pas atij momenti. Kemi diskutuar, por nuk di pse i ndodhi kjo gjë.

Ai nuk ka pasur asnjë konflikt. Për autorë të ngjarjes, vetëm çfarë kam dëgjuar nga media".

Për avokatin e Dervishajt:

Me Rrumin kam pasur shoqëri prej vitit 2016. Ditën e ngjarjes e kam shoqëruar si shok Rrumin.

Të pandehurit i njoh veç nga media. Emrin e Plarent Dervishajt nuk e kam dëgjuar ndonjëherë nga Rrumi. Nuk kampërdorur ndonjëherë telefon të enkriptuar, Sky Ecc. As Rrumi nuk ka përdorur ndonjëherë.

Avokati i Plarent Dervishajt: A ke dijeni për atentatin që i është bërë Plarent Dervishajt, Meçës e Haxhiajt?

Mziu: Jo, asnjë dijeni. Sot nuk kam asnjë raport me Pëllumb Muharremin. Nuk e di se ku ndodhet. Nuk kam dijeni as për problemet e tokave në Hamallaj.

Avokati i Dervishajt: A ke qenë në Vlorë ditën që është vrarë një gjyqtar?

Mziu: Jo.

Dervishaj: Ishe i punësuar nga Muharremi?

Mziu: Jo. Vetëm shoqëri, afrimitet.

Dervishaj: Paske qenë shofer me punë vullnetare domethënë? Po pas atentatit, ka vazhduar aktiviteti?

Mziu: Po. Di që më ka thënë që nuk kam asnjë konflikt.

Dervishaj: Po sot, pse nuk rrini më? Kush është arsyeja që nuk shkon më tek ai?

Mziu: Nuk është ai këtu. Tek të afërmit kam shkuar, por nuk më kanë thënë për ndonjë të dyshuar për ngjarjen.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2019

Teksa po udhëtonte me makinën e tij në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, persona të armatosur qëlluan me armë zjarri automatik drejt makinës ku udhëtonin Ndoja, shoferi i tij Andi Maloku dhe Aleksandër Laho. Si pasojë mbeti i vrarë shoferi i Ndojës, Andi Maloku, ndërsa ish-prokurori dhe Laho mbetën të plagosur.

Për ngjarjen SPAK dërgoi në gjyq disa persona, si Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, por edhe të tjerë si Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj, Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias “Dritan”) dhe Endrit Sinani. Deri tani Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rraja dhe 35 vite burg për Ariol Halilaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos