
Në Durrës janë regjistruar dy raste të tjera të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, duke e çuar në 13 numrin e drejtuesve të automjeteve të arrestuar ose proceduar penalisht për këtë vepër.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve në aksin rrugor “Durrës–Tiranë”, shërbimet e Policisë ndaluan një kamion të drejtuar nga shtetasi D. R., pasi u konstatua duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit. Gjatë verifikimeve, ai ka tentuar të shmangë masën administrative duke u ofruar efektivëve 25 euro.
Një rast i ngjashëm u evidentua edhe në zonën e Spitallës, ku u ndalua një tjetër drejtues kamioni, shtetasi K. T., i cili gjithashtu po përdorte celularin gjatë drejtimit. Për të shmangur ndëshkimin, ai u ka ofruar punonjësve të Policisë shumën prej 2000 lekësh.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet për të dy rastet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, e cila ka nisur procedimin penal ndaj shtetasve në fjalë për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe paralajmëron masa të rrepta ndaj çdo tentative për të shmangur ligjin përmes korrupsionit.
(A2 Televizion)